Unë

Quhem Getoar Mjeku. Jam jurist dhe avokat i licensuar në shtetin e Teksasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani i angazhuar si zëvendësministër i Ekonomisë i Republikës së Kosovës.

Vendi im

Në fund të 2015-s, jam kthy në vendlindje pas më shumë se 10 vjetësh në Shtetet e Bashkuara.

Unë kam lindë në Prishtinë, Kosovë. Me gjasë ke me më dëgju tue e qujtë vendin tim me emrin e lashtë, parakolonial Dardani. Më pëlqen më shumë.

Emri im

Getoar s’është emër freng; ka lidhje me shqiptarët ashtu siç François ka lidhje me francezët. Mbiemri Mjeku vjen nga rrënja latine medicus — kështu që Getoarius Medicus, nëse të duhet ndonjëherë me e latinsu emrin tim. Nuk jam mjek, por kam doktorë në familje; unë jam thjesht doktor i ligjeve.

Profesioni

(Shih CV-në time.)

Si jurist e avokat, përqendrohem në të drejtën ndërkombëtare, shkrimin juridik, të drejtën ekonomike dhe çështje juridike të interesit publik.

Dikur kam qenë gazetar. Kam diplomu për shkenca politike, me përqendrim në studime juridike dhe drejtim dytësor gjuhën spanjolle, në Universitetin «Texas Lutheran» në Teksas të ShBA-së. Më pas, kam fitu titullin Juris Doctor me lëvdata nga fakulteti i drejtësisë «SMU Dedman» në Dallas, Teksas. Pas diplomimit kam kalu me sukses provimin e jurisprudencës, dhe jam licensu si avokat në shtetin e Teksasit.

Që atëherë e kam ushtru profesionin, duke u përqendru në lëndë ekonomike ndërkombëtare. Rastet në të cilat kam punu përfshijnë çështje të tregut të devizave, investimeve dhe falimentimit ndërkombëtar, si dhe zhvillimin e bizneseve në Shtetet e Bashkuara. Kam përfaqësu palë edhe në gjykata të Teksasit, ndërsa vijoj me këshillu klientë individualë dhe biznesorë që kanë lidhje me Amerikën.

Në zyrë në SHBA (2015)

Prej se jam kthy në vendlindje, u shërbej klientëve përmes zyrës sime ligjore në Prishtinë. Ndër angazhime tjera, kam punu si ekspert ligjor për Agjencinë Kosovare të Privatizimit rreth kontratave të privatizimit sipas së drejtës angleze dhe kosovare.

Në ndërkohë, mbetem i përkushtuar ndaj çështjeve të interesit publik, duke u angazhu herë pas here me shoqërinë civile dhe përpjekje të ndryshme qytetare në Dardani. Më 25 gushti 2019, jam anëtarësu në Lëvizjen VETËVENDOSJE! për të përkrahë ndryshimin politik që meriton vendi ynë. Si jurist kam përfaqësu bashkaktivistët në konteste strategjike kundër shtrenjtimit të rrymës dhe kundër hidrocentraleve që po dëmtojnë mjedisin.

Në qeverinë Kurti I, nga shkurti në qershor 2020, kam pasë nderin të shërbej si këshilltar juridik i ministres së Ekonomisë, duke mbështetë përpjekjet për t'i shpëtu ndërmarrjet publike, për ta mbrojtë pronën publike e shoqërore, për ta vendosë reciprocitetin me Serbinë, për ta reformu sektorin e energjisë dhe për ta luftu pandeminë. Vijoj të përkrah Lëvizjen në përkushtimin e saj për një republikë të njëmendtë.

Në qeverinë Kurti II, nga 29 marsi 2021 deri më 1 shtator 2022, kam shërby si zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke ndihmu me vendosë ligjshmërinë brenda e jashtë institucionit, me hartu ligje kyçe për zhvillimin e vendit, me avancu nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, me i trajtu çështjet tregtare dhe me përmirësu mbikëqyrjen e tregut. Si jurist, jam kujdesë parësisht për programin ligjvënës të Ministrisë: Vitin e parë kemi propozu 11 ligje tashmë të miratuara, përfshi ligjet për tregtinë me naftë, tregtinë e jashtme, mbrojtjen e konkurrencës, inspektimet dhe pronësinë industriale. Më 2022 kam udhëheqë hartimin e projektligjit për investime të qëndrueshme — që mbulon investimet e huaja, investimet strategjike dhe shoshitjen e investimeve (screening) — dhe të projektligjit për rregullimin e çmimeve të produkteve themelore, mes akteve të tjera të rëndësishme.

Nga 1 shtatori 2022, mbaj detyrën e zëvendësministrit e Ekonomisë, brenda ministrisë përgjegjëse për ndërmarrjet publike, energjinë, minierat, postë-telekomin dhe teknologjinë e informacionit.

Në tubim me Lëvizjen (foto: Gerolld Nikoliqi, 2019)

Interese tjera

Që nga vitit 2007 mirëmbaj sajtin Plisi.org, që përfshin, mes të tjerash, një sërë burimesh të ligjit dhe shkrime me tema juridike.

Gjej argëtim në gjuhësi, histori, muzikë, kulturën shqiptare dhe softverin e lirë.

«Kanuni i Maleve të Shqypnís nuk e veçon nierin prej nieri.» Kanuni i Lekë Dukagjinit simbas Gjeçovit, § 593.

Shkrimet e George Orwellit, përvoja si student në Amerikë, por edhe puna si avokat më kanë bindë për vlerën që ka gjuha e thjeshtë e popullit. Andaj, shkruj — për aq sa muj e për aq sa di — shkurt e shqip. Jo rastësisht, ky tekst po mbërrin te ti me disa «shtrembërime» prej asaj që e qujmë gjuha standarde shqipe. Për këtë dhe tema të tjera rreth gjuhës kam botu disa zëra në bllogun Plisi.

Interesimi për historinë e popullit tim më ka shty me i përkthy anglisht librin Kosova II: Perandoria Osmane të shkrimtarit Jusuf Buxhovi dhe veprën jetëshkrimore Noli: Jeta në Amerikë nga ambasador Avni Spahiu.

Sajti im

Ky është sajti im vetjak. E përdor për me nda gjëra që më interesojnë me shoqërinë dhe ata që shpresoj me i bë shokë.

Këtynehere — dhe me këtë po mendoj më pak se një dekadë më parë — me pasë një uebfaqe vetjake ka qenë punë e mirë. Një sajt ka qenë edhe më mirë.

Unë e kam ndërtu sajtim tim të parë kur i kam pasë 12 vjet, madje para se me e çelë edhe llogarinë e postelit (imejllit). I kam ra mbrapsht, dhe me arsye. Isha tue lujtë me Microsoft FrontPage 97, një program i suitës Office i punuar për me thjeshtu uebdizajnin. Por një gjë ish e ndërlikuar: nuk kisha internet për me e botu «kryeveprën» e parë.

Si refugjat në Francë (1999)

As a refugee in France (1999)

Lufta me Serbinë u kry më 1999, duke e lënë Dardaninë të shkatërruar. Rrjeti ishte luks, nja 10 marka gjermane (5 euro) për një orë në internet-kafe. Provajderët e moçëm me dial up (telefon) nuk punonin më. Edhe nëse mujshe me e siguru internetin në shpi, gjasët që me e përdorë ishin të imëta. Ndërprerjet e rrymës na goditën keq vitin e parë të pasluftës, me vetëm dy orë energji çdo katër, gjashtë, e madje tetë orë në terr.

Por gjërat u përmirësunë shpejt. Internet-kafet i përgjysmunë çmimet brenda vitit. Unë e çela një llogari posteli në sajtin tashmë të mbyllur britneyspearsmail.com. Më vonë, kalova në një adresë më «profesionale» në Hotmail. Nja dy vjet pasi u kry lufta, e mora WWW-në në shpi.

Asokohe e botova edhe sajtin tim të parë. Përfundimisht, kujtova se e kisha përvetësu aq mirë zanatin sa me e nisë një sajt për revistën e shkollës. Projekti i 2002-tës befasisht është ende i gatshëm këtu.

Në vitet vijuese, ndoqa hobi tjerë dhe u mora më pak me ndërtim sajtesh. E lashë edhe sajtin tim me u zhdukë për një kohë. Që atëherë, mjetet shoqërore i kanë bë uebfaqet vetjake disi të vjetruara, hiq bllogjet që prapë varen nga Facebooku e Twitteri për me i joshë vizitorët.

Ty mund të të ketë sjellë këtu ndonjë makinë kërkimi. Ose ke mbërri udhës më të pagjasshme, duke shtypë getoar.com në shiritin e adresës. Sidoqoftë, ky sajt «njëfaqësh» është vetëm rikujtim i atyre «kohëve të moçme» të uebfaqeve personale në monitorë CRT dhe të internetit me telefon fiks. Uroj të të pëlqejë!


(2016, përditësu 2022)

Dr. Getoar Mjeku, jur.

Curriculum Vitae

Jurist nga Kosova. Avokat në SHBA. I përqendruar në çështje ekonomike dhe të interesit publik.

ARSIMIMI DHE LICENCAT

PËRVOJA UDHËHEQËSE

Qeveria e Republikës së Kosovës, Prishtinë • Zëvendësministër i Ekonomisë, 1 shtator 2021 deri tani
Qeveria e Republikës së Kosovës, Prishtinë • Zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, 29 mars 2021–1 shtator 2022
  • Kam ndihmu me vendosë ligjshmërinë brenda e jashtë institucionit, me hartu ligje kyçe për zhvillimin e vendit, me avancu nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, me i trajtu çështjet tregtare dhe me përmirësu mbikëqyrjen e tregut
  • Kam mbikëqyrë hartimin e legjislacionit, përfshi ligjet për tregtinë me naftë, tregtinë e jashtme, mbrojtjen e konkurrencës, inspektimet dhe pronësinë industriale, projektligjin për investime të qëndrueshme — që mbulon investimet e huaja, investimet strategjike dhe shoshitjen e investimeve (screening) — dhe projektligjin për rregullimin e çmimeve të produkteve themelore, mes akteve të tjera të rëndësishme

PËRVOJA JURIDIKE

Dr. Mjeku, zyrë ligjore, Houston dhe Prishtinë • Avokat, 2015–2021 Kuvendi i Republikës së Kosovës, Prishtinë • Ndihmës legjislativ, qershor 2020–janar 2021
  • Kam këshillu grupin më të madh parlamentar në çështje të legjislacionit dhe mbi­kë­qyrjes, duke u përqendru në çështjet ekonomike
  • Kam hartu projektligje dhe akte të tjera të Kuvendit
  • Kam mbështetë me hulumtim juridik kryetarin e komisionit të buxhetit dhe transfereve dhe deputetët e komisionit të zhvillimit ekonomik
Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe In­ves­ti­meve Strategjike e Republikës së Kosovës, Prishtinë • Këshilltar juridik, shkurt–qershor 2020
  • Kam këshillu ministren lidhur me fushëveprimtarinë e ministrisë, duke për­fshirë shkrirjen e pesë ministrive të mëparshme; mbajtë kontakte me partnerë
  • Kam hartu vendime të Ministrisë dhe Qeverisë, urdhëresa, memo­randume dhe doku­men­te të tjera
  • Kam adresu çështje kyçe lidhur me ndër­marrjet publike, reciprocitetin në marrë­dhëniet tregtare me Serbinë, sektorin e energjisë, keq­menaxhimin e më­par­shëm të pronës publike e shoqërore, ndër­marrësit dhe pro­dhuesit vendorë, si dhe masat e sigurisë dhe mbështetjen e sektorit privat gjatë pandemisë
Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Prishtinë • Proj. Shërbime të Qëndrueshme Komunale (SMS) • Këshilltar juridik, jan. 2019–shkurt 2020
  • Kam këshillu projektin dhe mbështetë qeverinë e Kosovës, komunat, ndër­marr­jet dhe aktorët e tjerë në çështje të mena­xhimit të mbeturinave, qeverisjes ven­dore dhe ndërmarrjeve publike
  • Kam hartu rregulloren model për menaxhimin e mbeturinave në komuna, rishiku do­kumente juridike, dhe mbështetë hartimin dhe zbatimin e doku­men­teve stra­tegjike për sektorin

Telekomi i Kosovës, Prishtinë • Këshilltar juridik, 2018
Kam këshillu kompaninë rreth kontratave komerciale, arbitrazhit ndërkombëtar, mosmarrëveshjet e ndër­likuara vendore, të drejtën e konkurrencës dhe qeverisjen korporative; i kam raportu drejtpërdrejt kryeshefit

Agjencia Kosovare e Privatizimit, Prishtinë, Kosovë • Ekspert ligjor, 2017
Kam dhënë opinione ligjore mbi çështje të ndërlikuara të qeverisjes korporative dhe privatizimit nën të drejtën angleze dhe të drejtën kosovare

Checchi Consulting and Company, Prishtinë, Kosovë • Avokat, 2017
Programi për përmbarim dhe legjislacion komercial i USAID-it: Kam ndihmu gjyqtarët e departamenteve ekonomike për të ngritë efiçiencën e gjykatës

Dinh Law Firm, Houston, Texas • Bashkëpunëtor, 2014, Avokat, 2015
Investime dhe imigrim në Amerikë, çështje ekonomike, padi të sekuestrimit të pronës dhe konteste të përgjithshme civile

Thomson Reuters (Randstad USA), Carrollton, Texas • Avokat, 2015
Kam ofru mbështetje në konteste dhe hetime në çështje ndërkombëtare të investimeve, falimentimit, qeverisjes korporative, bankave, financave dhe tregut të devizave nën të drejtën zvicerane, franceze dhe angleze

Catholic Charities of Dallas, Dallas, Texas • Praktikant, 2014
Shërbimet juridike dhe të imigrimit: Kam këshillu klientët në çështje të fitimit të shtetësisë, kërkesave për shtyrje të deportimit, hyrjeve pa inspektim dhe fëmijëve pa përcjellje

SMU Civil Legal Clinic, Dallas, Texas • Chief Counsel & Student Attorney, 2013
Kam mbrojtë me sukses klientët në konteste gjyqësore, kam ndihmu avokatët në hartimin e një parashtrese amicus pranë Gjykatës Supreme të Teksasit, kam marrë pjesë në një projekt të reformës ligjore rreth pastrimit të dosjeve, si dhe kam mbikëqyrë avokatët studentë

CKR Law, P.C., Houston, Texas • Bashkëpunëtor, 2012
Kam hartu parashtresa, padi dhe ankesa, kam mbështetë përgatitjen e rasteve të ndërlikuara të falimentimit, kam hulumtu dhe shkru rreth çështjeve të patundshmërisë dhe bizneseve

PËRVOJA TË TJERA PROFESIONALE

Jalifat Publishing, shtëpi botuese, Houston, Teksas, SHBA • Përkthyes dhe redaktor, 2009–2020
Kam përkthy, redaktu dhe përgatitë botime shqip dhe anglisht (shih «Vepra dhe botime», më poshtë)

Zëri i Amerikës (Voice of America), Uashington, SHBA • Gazetar dhe producent, 2010–2011
Kam shkru dhe përshtatë raporte me interes të posaçëm për Evropën Juglindore; drejtu emisione në radio, të drejtpërdrejta dhe të regjistruara

RTV 21, Prishtinë • Gazetar sporti në televizion, 2004–2005
Kam prodhu dhe drejtu drejtpërdrejt dy emisione për sportin, Bonus dhe 7m; komentu drejtpërdrejt në ndeshje basketbolli dhe futbolli

VEPRA DHE BOTIME

Projekte juridike Punime e komente akademike
  • (Kapitull libri) «Making of a country: Constitutional identity in practice » në Arben Haj­ru­lla­hu etj. (red.), Forging Kosovo: Between Dependence, Independence, and Inter­depen­dence [Farkëtimi i Kosovës: Mes varësisë, pavarësisë dhe ndëvarësisë] (PeterLang, në botim) / «Bërja e një shteti: Identiteti kushtetues në praktikë» [shqip], draft pune, 26.11.2019, SSRN
  • Enver Hasani, bashkautor, «Internationalized Constitutional Court: Kosovo’s Transfer of Judicial Sovereignty», Vienna Journal on International Constitutional Law 13(4) (2019) 373–402 / «Gjy­kata kushtetuese e ndërkombëtarizuar: Bartja e sov­ranitetit gjy­që­sor në rastin e Kosovës», E drejta/Law [Univ. Prishtinës] 1–4/2019, 7–35 / anglisht dhe shqip në SSRN
  • Tampering with Treaties: Kosovo President Seeks Judicial Advice on Ratification [Loja me traktatet: Presidenti kosovar i kërkon gjykatës këshillë rreth ratifikimit], Bar of Texas ILS International Newsletter, vol. 2, no. 1 (Spring 2019) 22–25 / «Ma­rrë­veshja e EULEX-it është punë e kryer: Neni 18 në Gjykatën Ku­shtetuese», draft pune, 13.10.2018 / dorëshkrimi shqip dhe ang­lisht në SSRN
  • «Dokumentimi i të drejtave mbi pronën: Sistemet amerikane dhe britanike», E drej­ta/Law [Univ. Prishtinës] (në botim) [shqip me përmbledhje an­glisht] / «Docu­men­ting Interests in Land: The American and British Systems», draft pune, 21.6.2018 / dorëshkrimi anglisht dhe shqip në SSRN
  • «Barring Aliens from Taking the Bar: Discrimination in Europe’s Legal Profession» [Për­jash­timi i të huajve nga avokatia: Diskriminimi në profesionin juridik të Ev­ropës], 21.6.2018, draft pune, SSRN
  • «Unredeemed Lands and Extraterritorial Jurisdiction: The Case of Serbia and Kosovo» [Tokat e pashpëtuara dhe juridiksioni jashtëterritorial: Rasti i Serbisë dhe Ko­so­vës], 13.12.2013, draft pune, SSRN
  • Territorial Sovereignty and Establishing the Rule of Law in Kosovo, JURIST–Dateline (22.8.2011)
Shkrime të zgjedhura për gjuhën Opinione të zgjedhura Tregime të shkurta Përkthime të zgjedhura Paraqitje në medie Botime të redaktuara
  • Blerim Reka, Balkans Geopolitics: From Cold War to Hot Peace (Jalifat/GIS: Houston/Vaduz, 2020)
  • Enver Hasani, Tema të zgjedhura nga e drejta ku­shtetuese dhe Tema të zgjedhura nga e drejta dhe marrëdhëniet ku­sh­tetuese (Univ. Prishtinës: Pri­sh­tinë, 2016)
Projekte digjitale
  • Kam themelu dhe mirëmbaj sajtin Plisi.org, bibliotekë digjitore dhe bllog shumautorësh për gju­hësi, histori, ligj dhe kulturën shqiptare
  • Kam punu shestimin (planimetrinë) e tastierës shqipe Plisi

TË NDRYSHME

Anëtarësi
  • Lëvizja VETËVENDOSJE!
  • Oda e Avokatëve e Shtetit të Teksasit, Seksioni i së Drejtës Ndërkombëtar
Mbërritje dhe mirënjohje

  • Shoqëria Ndërkombëtare Juridike e Nderit «Phi Delta Phi», dega «Monteith»
  • Përfshirje në fjalorin biografik Who’s Who Among Students (Kush është kush mes studentëve), 2010
  • Bursist i programit «Arsimim për Paqe» (Education for Peace Scholar), 2006–2010
  • Shoqëria Kombëtare Universitare e Nderit «Alpha Chi»
  • Shoqëria e Nderit e Gjuhëve të Huaja «Alpha Mu Gamma»
  • Shoqëria Akademike e Nderit «Delta Epsilon Iota»
  • Shoqëria e Nderit «Alpha Lambda Delta»

Gjuhët: shqip, anglisht, spanjisht (avancuar), frëngjisht, portugalisht, turqisht (mesatare); serbokroatisht, esperantisht (pasive)

Interesime: softveri i lirë me kod të hapur (Linux), gjuha, historia, muzika

Kontakti

Posteli — GM [et] Getoar [pikë] com — është mënyra më e sigurtë me më kontaktu, nëse s’mund të shihemi sy më sy.

Por tash për tash, informatat që i ndan me mua nuk do të jetë nbesë (konfidenciale), dhe nuk do të krijojnë marrëdhënie avokat–klient mes meje e teje. Të lutem, rishihi kushtet e përdorimit dhe privatësisë së sajtit, posaçërisht nëse synon me nda informata të ndjeshme me mua.

Shihi shkrimet e mia në bllog, ose ndiqmë në rrjetet shoqërore:

Twitter
Facebook
Instagram

Kushtet & privatësia

(Pse ti e jo ju?)

Unë jam pronari i këtij sajti. Ti je vizitor. Duke e përdorë këtë sajt, ti pajtohesh me këto kushte të përdorimit dhe privatësisë. Këto kushte janë marrëveshje mes meje e teje.

Nuk ka këshillë juridike. E tërë përmbajtja në këtë sajt është vetëm për informim të përgjithshëm. Nuk ka për qëllim me dhënë këshillë juridike, dhe ti nuk duhet asnjëherë me i përdorë informatat që i gjen përmes këtij sajti si këshillë juridike. Nëse të duhet ndihmë për një problem ligjor, fol me një avokat ose jurist.

Nuk ka garanci. Përpiqem për aq sa mundem e për aq sa di me dhënë informata të sakta, por nuk garantoj se informatat që mund t’i gjesh përmes këtij sajti janë të sakta ose të plota.

Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë gabimi ose mangësie në informata, e as nuk premtoj se kam me i mbajtë informatat në gatishmëri në të ardhmen. Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë humbjesh, lëndimesh, ose dëmtimesh nga shfaqja ose përdorimi i informatave.

Informatat e ndjeshme. Ky sajt mund të mos jetë i sigurtë. Të lutem, mos ndaj kurrfarë informatash të ndjeshme përmes këtij sajti, përfshirë ndonjë formular kontakti. Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë humbjesh, lëndimesh, ose dëmtimesh nga përdorimi i këtij sajti.

Nuk ka marrëdhënie avokat–klient. Për pyetje për përgjithshme, mund të më kontaktosh me postel në GM [et] Getoar [pikë] com. Por çfarëdo informate që ndan me mua tash për tash nuk ka me qenë nbesë (konfidenciale), dhe nuk ka me kriju marrëdhënie avokat–klient mes meje e teje.

Privatësia. Përpiqem për aq sa mundem e për aq sa di me ta respektu privatësinë. Ky sajt përdor kuki apo biskota për me mbledhë dhe me rujtë informata rreth vizitës tënde. Informatat e tilla përdoren vetëm për ta përcjellë performancën e përmbajtjes. Mund t’i fikësh kukit duke i ndryshu ujdisjet (parametrat) e shfletuesit tënd të rrjetit në çdo kohë.

Unë nuk ndaj informata vetjake me palë të treta. Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë përmbajtje që ribotohet pa lejen time.

Privilegjet intelektuale. Getoar.com është markë e imja tregtare. Krejt përmbajtja origjinale është vepër e imja e mbrojtur nga e drejta e autorit. Unë i ruj të gjitha të drejtat ndaj veprës sime, përveç nëse cek shprehimisht ndryshe. Ti nuk mund të kopjosh ose të rishpërndash asnjë pjesë të përmbajtjes pa lejen time.

Ndryshimi i këtyre kushteve. Unë mund t’i ndryshoj këto kushte në çdo kohë dhe pa lajmërim. Herën e mbrame i kam ndryshu më 25 tetor 2015.

Ligji i zbatueshëm. Ky njoftim i nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës. Rregullat e konfliktit të ligjeve mund të bëjnë që të zbatohen ligjet e një juridiksioni tjetër.

© 2001–16 Getoar Mjeku.
E lëshoj këtë faqe sipas licensës Creative Commons Attribution 4.0 International.