Bio
Unë
Quhem Getoar Mjeku. Jam jurist dhe avokat i licensuar në shtetin e Teksasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendi im
Në fund të 2015-s, jam kthy në vendlindje pas më shumë se 10 vjetësh në Shtetet e Bashkuara.
Unë kam lindë në Prishtinë, Kosovë. Me gjasë ke me më dëgju tue e qujtë vendin tim me emrin e lashtë, parakolonial Dardani. Më pëlqen më shumë.
Emri im
Getoar s’është emër freng; ka lidhje me shqiptarët ashtu siç François ka lidhje me francezët. Mbiemri Mjeku vjen nga rrënja latine medicus — kështu që Getoarius Medicus, nëse të duhet ndonjëherë me e latinsu emrin tim. Nuk jam mjek, por kam doktorë në familje; unë jam thjesht doktor i ligjeve.
Profesioni
Si jurist e avokat, përqendrohem në të drejtën ndërkombëtare, shkrimin juridik, të drejtën ekonomike dhe çështje juridike të interesit publik.
Dikur kam qenë gazetar. Kam diplomu për shkenca politike, me përqendrim në studime juridike dhe drejtim dytësor gjuhën spanjolle, në Universitetin «Texas Lutheran» në Teksas të ShBA-së. Më pas, kam fitu titullin Juris Doctor me lëvdata nga fakulteti i drejtësisë «SMU Dedman» në Dallas, Teksas. Pas diplomimit kam kalu me sukses provimin e jurisprudencës, dhe jam licensu si avokat në shtetin e Teksasit.
Që atëherë e kam ushtru profesionin, duke u përqendru në lëndë ekonomike ndërkombëtare. Rastet në të cilat kam punu përfshijnë çështje të tregut të devizave, investimeve dhe falimentimit ndërkombëtar, si dhe zhvillimin e bizneseve në Shtetet e Bashkuara. Kam përfaqësu palë edhe në gjykata të Teksasit, ndërsa vijoj me këshillu klientë individualë dhe biznesorë që kanë lidhje me Amerikën.
Prej se jam kthy në vendlindje, u shërbej klientëve përmes zyrës sime ligjore në Prishtinë. Ndër angazhime tjera, kam punu si ekspert ligjor për Agjencinë Kosovare të Privatizimit rreth kontratave të privatizimit sipas së drejtës angleze dhe kosovare.
Në ndërkohë, mbetem i përkushtuar ndaj çështjeve të interesit publik, duke u angazhu herë pas here me shoqërinë civile dhe përpjekje të ndryshme qytetare në Dardani. Që nga vitit 2007 mirëmbaj sajtin Plisi.org, që përfshin, mes të tjerash, një sërë burimesh të ligjit dhe shkrime me tema juridike.

Interese tjera
Gjej argëtim në gjuhësi, histori, muzikë, kulturën shqiptare dhe softverin e lirë.
«Kanuni i Maleve të Shqypnís nuk e veçon nierin prej nieri.» Kanuni i Lekë Dukagjinit simbas Gjeçovit, § 593.
Shkrimet e George Orwellit, përvoja si student në Amerikë, por edhe puna si avokat më kanë bindë për vlerën që ka gjuha e thjeshtë e popullit. Andaj, shkruj — për aq sa muj e për aq sa di — shkurt e shqip. Jo rastësisht, ky tekst po mbërrin te ti me disa «shtrembërime» prej asaj që e qujmë gjuha standarde shqipe. Për këtë dhe tema të tjera rreth gjuhës kam botu disa zëra në bllogun Plisi.
Interesimi për historinë e popullit tim më ka shty me i përkthy anglisht librin Kosova II: Perandoria Osmane të shkrimtarit Jusuf Buxhovi dhe veprën jetëshkrimore Noli: Jeta në Amerikë nga ambasador Avni Spahiu.
Sajti im
Ky është sajti im vetjak. E përdor për me nda gjëra që më interesojnë me shoqërinë dhe ata që shpresoj me i bë shokë.
Këtynehere — dhe me këtë po mendoj më pak se një dekadë më parë — me pasë një uebfaqe vetjake ka qenë punë e mirë. Një sajt ka qenë edhe më mirë.
Unë e kam ndërtu sajtim tim të parë kur i kam pasë 12 vjet, madje para se me e çelë edhe llogarinë e postelit (imejllit). I kam ra mbrapsht, dhe me arsye. Isha tue lujtë me Microsoft FrontPage 97, një program i suitës Office i punuar për me thjeshtu uebdizajnin. Por një gjë ish e ndërlikuar: nuk kisha internet për me e botu «kryeveprën» e parë.
Si refugjat në Francë (1999)
Lufta me Serbinë u kry më 1999, duke e lënë Dardaninë të shkatërruar. Rrjeti ishte luks, nja 10 marka gjermane (5 euro) për një orë në internet-kafe. Provajderët e moçëm me dial up (telefon) nuk punonin më. Edhe nëse mujshe me e siguru internetin në shpi, gjasët që me e përdorë ishin të imëta. Ndërprerjet e rrymës na goditën keq vitin e parë të pasluftës, me vetëm dy orë energji çdo katër, gjashtë, e madje tetë orë në terr.
Por gjërat u përmirësunë shpejt. Internet-kafet i përgjysmunë çmimet brenda vitit. Unë e çela një llogari posteli në sajtin tashmë të mbyllur britneyspearsmail.com. Më vonë, kalova në një adresë më «profesionale» në Hotmail. Nja dy vjet pasi u kry lufta, e mora WWW-në në shpi.
Asokohe e botova edhe sajtin tim të parë. Përfundimisht, kujtova se e kisha përvetësu aq mirë zanatin sa me e nisë një sajt për revistën e shkollës. Projekti i 2002-tës befasisht është ende i gatshëm këtu.
Në vitet vijuese, ndoqa hobi tjerë dhe u mora më pak me ndërtim sajtesh. E lashë edhe sajtin tim me u zhdukë për një kohë. Që atëherë, mjetet shoqërore i kanë bë uebfaqet vetjake disi të vjetruara, hiq bllogjet që prapë varen nga Facebooku e Twitteri për me i joshë vizitorët.
Ty mund të të ketë sjellë këtu ndonjë makinë kërkimi. Ose ke mbërri udhës më të pagjasshme, duke shtypë getoar.com në shiritin e adresës. Sidoqoftë, ky sajt «njëfaqësh» është vetëm rikujtim i atyre «kohëve të moçme» të uebfaqeve personale në monitorë CRT dhe të internetit me telefon. Uroj të të pëlqejë!
Copyright © 2001–16 Getoar Mjeku.
Mund ta kopjosh e ta rishpërndash tërë këtë faqe derisa e run këtë njoftim.
Kushtet e përdorimit dhe privatësisë
Kushtet & Privatësia
(Pse ti e jo ju?)
Unë jam pronari i këtij sajti. Ti je vizitor. Duke e përdorë këtë sajt, ti pajtohesh me këto kushte të përdorimit dhe privatësisë. Këto kushte janë marrëveshje mes meje e teje.
Nuk ka këshillë juridike. E tërë përmbajtja në këtë sajt është vetëm për informim të përgjithshëm. Nuk ka për qëllim me dhënë këshillë juridike, dhe ti nuk duhet asnjëherë me i përdorë informatat që i gjen përmes këtij sajti si këshillë juridike. Nëse të duhet ndihmë për një problem ligjor, fol me një avokat ose jurist.
Nuk ka garanci. Përpiqem për aq sa mundem e për aq sa di me dhënë informata të sakta, por nuk garantoj se informatat që mund t’i gjesh përmes këtij sajti janë të sakta ose të plota.
Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë gabimi ose mangësie në informata, e as nuk premtoj se kam me i mbajtë informatat në gatishmëri në të ardhmen. Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë humbjesh, lëndimesh, ose dëmtimesh nga shfaqja ose përdorimi i informatave.
Informatat e ndjeshme. Ky sajt mund të mos jetë i sigurtë. Të lutem, mos ndaj kurrfarë informatash të ndjeshme përmes këtij sajti, përfshirë ndonjë formular kontakti. Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë humbjesh, lëndimesh, ose dëmtimesh nga përdorimi i këtij sajti.
Nuk ka marrëdhënie avokat–klient. Për pyetje për përgjithshme, mund të më kontaktosh me postel në GM [et] Getoar [pikë] com. Por çfarëdo informate që ndan me mua tash për tash nuk ka me qenë nbesë (konfidenciale), dhe nuk ka me kriju marrëdhënie avokat–klient mes meje e teje.
Privatësia. Përpiqem për aq sa mundem e për aq sa di me ta respektu privatësinë. Ky sajt përdor kuki apo biskota për me mbledhë dhe me rujtë informata rreth vizitës tënde. Informatat e tilla përdoren vetëm për ta përcjellë performancën e përmbajtjes. Mund t’i fikësh kukit duke i ndryshu ujdisjet (parametrat) e shfletuesit tënd të rrjetit në çdo kohë.
Unë nuk ndaj informata vetjake me palë të treta. Nuk mbaj përgjegjësi për kurrfarë përmbajtje që ribotohet pa lejen time.
Privilegjet intelektuale. Getoar.com është markë e imja tregtare. Krejt përmbajtja origjinale është vepër e imja e mbrojtur nga e drejta e autorit. Unë i ruj të gjitha të drejtat ndaj veprës sime, përveç nëse cek shprehimisht ndryshe. Ti nuk mund të kopjosh ose të rishpërndash asnjë pjesë të përmbajtjes pa lejen time.
Ndryshimi i këtyre kushteve. Unë mund t’i ndryshoj këto kushte në çdo kohë dhe pa lajmërim. Herën e mbrame i kam ndryshu më 25 tetor 2015.
Ligji i zbatueshëm. Ky njoftim i nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës. Rregullat e konfliktit të ligjeve mund të bëjnë që të zbatohen ligjet e një juridiksioni tjetër.
© 2001–16 Getoar Mjeku.
E lëshoj këtë faqe sipas licensës Creative Commons Attribution 4.0 International.